
Neymar nuk i kurseu fjalët pas humbjes së rëndë 6-0 që Santos pësoi ndaj Vasco da Gama të dielën, duke shprehur hapur zhgënjimin për paraqitjen e skuadrës.
Ylli brazilian u rikthye te klubi i tij i fëmijërisë në janar të këtij viti, pas një dekade të kaluar jashtë, që përfshinte aventura te Barcelona, PSG dhe së fundmi Al Hilal në Arabinë Saudite.
Megjithatë, rikthimi i shumëpritur nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Pavarësisht entuziazmit të madh nga tifozët, Neymar dhe Santos nuk kanë arritur të gjejnë ritmin. Në 11 paraqitje në kampionat që nga kthimi, sulmuesi ka shënuar vetëm tre gola dhe nuk ka regjistruar asnjë asist, ndërsa skuadra renditet në vendin e 15-të nga 20 ekipe në Serie A braziliane.
Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, Neymar është penguar nga dëmtimet. Ai ka munguar në pesë ndeshje radhazi për shkak të një dëmtimi në muskujt e këmbës, të cilin e pësoi në muajin prill, duke e bërë edhe më të vështirë rikthimin e tij të suksesshëm te Santos.