
Liverpool po ndjek me ngulm sulmuesin e Newcastle United, Alexander Isak, në një lëvizje që do të shënonte një ndryshim të madh në politikën e transferimeve të klubit, të paparë prej një dekade.
Sipas Mirror, “Reds” janë të gatshëm të thyejnë rregullin e tyre të gjatë për të mos nënshkruar me sulmues të provuar të Premier League, me synimin për të sjellë në “Anfield” yllin suedez.
Newcastle ka refuzuar tashmë një ofertë marramendëse prej 140 milionë eurosh nga Liverpooli për Isakun, i cili sezonin e kaluar shënoi 23 gola në kampionat dhe 62 gjithsej që kur iu bashkua klubit. Situata është përshkallëzuar, pasi lojtari po stërvitet larg ekipit të parë dhe ka refuzuar të luajë sërish për Newcastle, megjithëse klubi këmbëngul se nuk është në shitje.
Kjo verë ka qenë tejet aktive për Liverpoolin, që ka investuar fort me afrime të mëdha si Florian Wirtz dhe Hugo Ekitike, në kontrast me qasjen më të kursyer të vitit të kaluar.
Megjithatë, duket se merkatoja e “Reds” nuk ka mbaruar, dhe transferimi i mundshëm i Isak do të shënonte një pikë kthese në strategjinë e klubit.
Rregulli i transferimit që nisi në vitin 2015
Ky ndryshim strategjie lidhet me një vendim të marrë pas vitit 2015, kur Liverpool pagoi 40 milionë euro për Christian Benteke nga Aston Villa. Sulmuesi belg mbërriti me një rekord mbresëlënës prej 49 golash në 101 ndeshje, por nuk arriti të përshtatej në “Anfield”. Me vetëm 10 gola në 42 paraqitje, ai u transferua te Crystal Palace vitin pasardhës për një tarifë të ngjashme. Që atëherë, Liverpool është treguar i kujdesshëm për të mos përsëritur të njëjtin gabim.
Ironikisht, në të njëjtën verë klubi firmosi edhe me Roberto Firminon, i cili u bë një figurë kyçe në sukseset e Liverpoolit, duke fituar Premier League dhe Champions League.
Po atë sezon u afrua edhe Danny Ings nga Burnley, ndërsa një vit më vonë erdhi Sadio Mane nga Southampton — i cili, ashtu si Diogo Jota nga Wolves më vonë, luajti më shumë në krah se në qendër të sulmit.
Tre vite më parë, kur kërkonin një qendërsulmues, Liverpool preferoi të transferonte Darwin Nunez nga Benfica në vend që të orientoheshin drejt Premier League.
Edhe afrimi i Dominic Solanke nga Chelsea në vitin 2017 nuk ishte i krahasueshëm me marrëveshjet e mëdha të tipit Benteke — ose me mundësinë e sotme për të firmosur me Alexander Isak, që mund të bëhet transferimi rekord në historinë e klubit.