
Sot, më 22 gusht, nga ora 20:00, nis sezoni i ri 2025-2026 i kampionatit shqiptar të futbollit, me përballjen e parë mes Vllaznisë dhe Egnatias.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, i uroi suksese të gjitha dhjetë klubeve pjesëmarrëse, duke e cilësuar sezonin e ri si një kapitull të mbushur me sfida dhe emocione. Ai nënvizoi rëndësinë e profesionalizmit dhe respektit në fushë dhe garantoi mbështetje maksimale për zhvillimin e talenteve dhe përmirësimin e infrastrukturës së klubeve.
“Çdo fillim sezoni është një moment shprese dhe ambicieje, ku skuadrat, trajnerët, lojtarët dhe tifozët hyjnë në një udhëtim të ri, të mbushur me rivalitet dhe emocione. Uroj të gjitha klubet një sezon të suksesshëm, të mbushur me profesionalizëm dhe respekt në fushë”, shkroi Duka.
Presidenti i FSHF-së uroi gjithashtu tifozët, duke i ftuar të jenë forca kryesore e atmosferës në stadiume, gjithmonë në frymën e Fair-Play: “Ju ftoj të vazhdoni ta bëni atmosferën në stadiume të jashtëzakonshme, por duke respektuar vlerat e sportit dhe kulturën e Fair-Play.”
Duka gjithashtu falenderoi çdo futbollist, trajner, arbitër dhe punonjës të futbollit shqiptar për kontributin e tyre, duke theksuar se secili është pjesë e mozaikut që formon kampionatin.
“Përpara kemi një sezon që premton rivalitet, emocione dhe histori të reja. Me përkushtim dhe pasion, do të përjetojmë një kampionat të denjë për traditën dhe të ardhmen e futbollit shqiptar. Në emër të FSHF-së, ju uroj një sezon të mbushur me suksese dhe momente të paharrueshme. Le të nisë spektakli i futbollit shqiptar”, përfundoi presidenti Duka.
