Prishtina hedh në shitje biletat për ndeshjen kundër Larne

FC Prishtina në trening
FC Prishtina në trening

Klubi i futbollit Prishtina ka vënë sot në shitje biletat për përballjen e rëndësishme ndaj Larne nga Irlanda e Veriut, e vlefshme për raundin e dytë të UEFA Conference League. Ndeshja zhvillohet nesër, me fillim nga ora 20:00 në stadiumin e Prishtinës.

Fituesi i këtij dueli do të përballet me më të mirin e çiftit Santa Clara (Portugali) – Varaždin (Kroaci) në raundin pasues të kompeticionit evropian.

Bardhekaltrit kanë organizuar shitjen e biletave një ditë para ndeshjes, një hap që dëshmon për një organizim më të mirë këtë raund. Çmimet janë të arsyeshme: 3 euro për tribunën lindore, 5 euro për atë perëndimore dhe 10 euro për tribunën VIP – kjo e fundit pa përfshirë shërbime shtesë si katering.

posteri për bileta
posteri për bileta

Prishtina shpreson në një përkrahje masive nga tifozët vendas, të etur për rezultate pozitive dhe përballje të mëdha ndërkombëtare. Trajneri Arsim Thaçi dhe skuadra do të duhej të dhurojnë një paraqitje të denjë në këtë sfidë.

Në prag të ndeshjes, skuadra e Prishtinës do të mbajë konferencën për shtyp sot në orën 18:15, ndërsa më pas do zhvillojë edhe stërvitjen zyrtare. Ndërkohë, Larne do të dalë para mediave në orën 19:45, për të vijuar me stërvitjen në orën 20:00.