
FC Copenhagen ka mbërritur mbrëmë në Prishtinë për sfidën e kthimit ndaj Dritës, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja zhvillohet sonte nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kampioni i Danimarkës ka vendosur të mos zhvillojë stërvitjen zyrtare në stadiumin ku do të luhet përballja, ndërsa ka konfirmuar se në këtë sfidë do të luajë me fanellat e treta, ngjyrë të gjelbër.

Megjithatë, në fanellat e Copenhagenit nuk do të figurojë emri i sponsorit kryesor, “Unibet”, për shkak të ndalesës së reklamimit të bastvënieve në Kosovë.
“Kjo është hera e gjashtë që luajmë me këto fanella. Në debutim, ndaj Dinamo Minskut në Azerbajxhan, po ashtu kemi luajtur pa ‘Unibet’ në gjoks”, ka bërë të ditur klubi danez.
Rreth 75 tifozë pritet të përkrahin Copenhagenin në stadiumin “Fadil Vokrri”. Klubi vizitoi gjithashtu një grup të ushtarëve danezë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë – aktualisht janë 35 pjesëtarë, ndërsa dikur ky numër kishte arritur në 850.