Ramadani kërkon ofensivë dhe racionalitet: Një epërsi minimale do të ishte ideale

Zekerija Ramadani
Zekerija Ramadani

Në prag të sfidës së parë ndaj Differdange, në kuadër të “play-off”-it të Ligës së Konferencës, kryetrajneri i Dritës, Zekerija Ramadani, u shpreh i vetëdijshëm për vështirësitë që sjell kundërshtari, por njëkohësisht theksoi besimin në përgatitjen dhe kapacitetin e skuadrës së tij për të menaxhuar presionin dhe për të marrë një rezultat pozitiv në shtëpi.

Zekerija Ramadani: “Nuk kërkoj lojë të bukur, kërkoj rezultat. Epërsia këtu do të na ndihmonte shumë atje.”

“E dimë që na pret një ndeshje që e kemi një kundërshtar të njohur edhe më herët, në raundin e parë të Champions-it”, u shpreh Ramadani, duke vlerësuar lart disiplinën taktike të ekipit nga Luksemburgu. “Kundërshtar shumë i vështirë për t’u depërtuar në mbrojtje. Duhet të kemi durim dhe qasje profesionale si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ata nuk lënë hapësira, por ne duhet të insistojmë, të këmbëngulim dhe të jemi më ofansivë.”

Trajneri i Dritës shtoi se një rezultat pozitiv në këtë ndeshje mund të ndryshojë rrjedhën e kthimit: “Do të isha shumë i lumtur nëse do të udhëtonim me një epërsi, qoftë edhe minimale, sepse atëherë ata do të detyroheshin të hapeshin. Por mbi të gjitha, nuk duhet të pranojmë gol. Kjo është shumë me rëndësi. Duhet të jemi racionalë para portës kundërshtare.”

zekerija ramadani
zekerija ramadani

Në lidhje me pritshmëritë dhe baraspeshën mes dy ekipeve, Ramadani tha:
“Skuadrat favorite i bën koeficienti, por në letër jemi të barabartë. Epitetin e favoritit duhet ta tregojmë në fushë, me grintë, sidomos tani që i njohim më mirë dhe duhet të shfrytëzojmë dobësitë e tyre.”

Në fund, ai u ndal edhe te aspekti psikologjik dhe menaxhimi i presionit:
“E njohim mirë kundërshtarin, do të provojmë të bëjmë lojën tonë. Ndeshje pa presion nuk ka, edhe klubet më të mëdha e kanë. Nuk kërkoj nga futbollistët lojë të bukur, por dua rezultatin. Kam besim të madh se lojtarët dinë ta përballojnë presionin, edhe pse vijmë nga tre humbje – ndaj Copenhagen, FCSB dhe Ferizajt – por për shkak të eksperiencës së ekipit, besoj se do ta menaxhojnë mirë çdo minutë të ndeshjes.”

Ramadani theksoi vështirësitë në përgatitje, por edhe qëndrueshmërinë e ekipit përballë sfidave logjistike.

“Kemi vuajtur në fusha të ndryshme stërvitjeje, por futbollistët nuk më janë ankuar asnjëherë. Është e vërtetë që kundërshtari nuk ka luajtur fundjavën që shkoi, ndërsa ne jo vetëm që luajtëm, por ishim për 60 minuta me një lojtar më pak. Ishte e pakuptueshme mënyra e menaxhimit të caktimit të asaj ndeshjeje dhe nuk e di pse ndodhi ashtu”, u shpreh Ramadani pas ndeshjes me Ferizajin.

Në lidhje me përbërjen për ndeshjet e radhës, Ramadani konfirmoi mungesën e njërit prej lojtarëve kyç:
“Ron Broja nuk do të luajë në dy takimet e ardhshme, pas ndëshkimit me karton të kuq në përballjen me FCSB.”