Ramadani: “Nesër hyjmë agresivë, brenda fushës – zero respekt për kundërshtarin”

Zekerija Ramadani - Besnik Krasniqi
Zekerija Ramadani - Besnik Krasniqi

Kryetrajneri i Dritës, Zekerija Ramadani, dhe kapiteni Besnik Krasniqi dolën sot para mediave para ndeshjes së kthimit në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj FCSB-së. Pas humbjes 3-2 në Bukuresht, ekipi nga Gjilani synon të shfrytëzojë përparësinë e fushës dhe të përmbysë rezultatin, përcjellë nga konferenca, Kërlaçki.

Ramadani premtoi një lojë agresive dhe pa kompromis, ndërsa Krasniqi beson se korrigjimi i gabimeve nga ndeshja e parë është çelësi për suksesin.

Deklarata e kryetrajnerit Zekerija Ramadani

“Shumë e vështirë se sa ndeshja e parë. Por ne kemi bërë analizën tonë nga ndeshja e parë. Do të provojmë të përmirësojmë gabimet, sepse kishim 1-0 pastaj 2-0 dhe kjo është detyra më e vështirë për ta rimëkëmbur ekipin. Pritet ndeshje agresive nga ana jonë, s’kemi çfarë të humbim, duhet të japim gjithçka nga vetja dhe jam i bindur që nuk do të përsërisim gabimet nga ndeshja e parë. Por gjithmonë me respekt ndaj kundërshtarit, sepse e dimë kualitetin që e posedojnë, por brenda fushës zero respekt, sepse kemi qëllim të kalojmë raundin”, ka thënë Ramadani para ndeshjes së nesërme.

“Nuk besoj që e kisha pranuar para ndeshjes 3-2, ndërsa jemi munduar të bënim analizën. Ndoshta mungesa e eksperiencës, ndërsa në detaje nuk mund të futem, apo gabimet që mund t’i kemi bërë”, ka fol Ramadani për humbjen 3-2 pas avantazhit prej dy golave.

“E para ishte ta shëroja veten nga ajo gjendje psikologjike pas 2-0 në 3-2, pastaj biseduam me futbollistët. Por unë besoj që kemi kualitetet, sidomos psikologjike, në ekip, që kanë treguar karakter në të kaluarën për rikthim. Besoj kemi marrë mësim që nuk duhet të dorëzohemi as kur jemi duke humbur takimin”, ka shtuar trajneri i Dritës.

“Në Bukuresht, numri 10 ka qenë më i miri, por nesër mungon. Nuk mund të them se individi mund të na dënojë, por si skuadër janë ekip shumë i organizuar”, ka përfunduar, Ramadani.

Deklarata e futbollistit Besnik Krasniqi

“Ne kemi bërë analizën, kemi parë gjëra që mund t’i kishim bërë shumë më mirë. Është ndeshje e vështirë, por kemi kualitetin që e kemi treguar edhe atje për 70 minuta. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj disa gabimeve që kemi bërë atje dhe të mos i përsërisim”, ka thënë ndër tjera mbrojtësi i djathtë, Besnik Krasniqi, i cili sikurse edhe kryetrajneri Ramadani duken që shpresojnë shumë që mund të përmbysin humbjen në Bukuresht dhe të kalojnë tutje.