“Ringjallet” Peja: Prezanton dy amerikanë dhe paralajmëron goditjen e radhës!

KB Peja
KB Peja

Klubi i basketbollit Peja ka nisur ndërtimin e skuadrës për sezonin 2025/26, duke zyrtarizuar dy përforcime të rëndësishme amerikane dhe paralajmëruar një tjetër emër që pritet të zyrtarizohet së shpejti.

Pas dy edicioneve të pasuksesshme, ku pritshmëritë e tifozërisë pejane nuk u përmbushën, klubi po rikthehet me ambicie të qarta për të ndërtuar një ekip kompetitiv që do të synojë majat e Superligës së Kosovës.

Tajh Green dhe Dequan Morris, dy prurje cilësore

Ekipit iu bashkua Tajh Green, një basketbollist 27-vjeçar amerikan që luan në pozitën e katërt (power forward), me gjatësi prej 203 cm.

Green vjen nga përvoja të rëndësishme në ligat evropiane – fillimisht në Britani të Madhe me skuadrat Newcastle Eagles dhe Manchester Giants, për të vazhduar në sezonin e fundit me Artland Dragons në Gjermani.

Ai pritet të sjellë fizik, energji dhe përvojë ndërkombëtare në sektorin e lojës nën kosh.

tajh green
tajh green

Përforcimi tjetër është Dequan Morris, një fundor (point guard) me gjatësi 192 cm, që vjen nga Superliga e Zvicrës ku ka pasur paraqitje të shkëlqyera në dy sezonet e fundit, me mesatare prej 17.3 dhe 20 pikë për ndeshje.

Morris, i cili ka zhvilluar karrierë edhe në SHBA dhe Bullgari, njihet për lojën dinamike, aftësinë për të organizuar sulmin dhe për të kontribuar me pikë në momente kyçe të ndeshjeve.

Ai do të jetë një nga shtyllat e organizimit të lojës nën drejtimin e trajnerit Greg Gibson.

dequan morris
dequan morris

Klubi ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes pritet të zyrtarizohet edhe një përforcim tjetër, që do të plotësojë mozaikun e skuadrës për sezonin e ri.

Pas dy edicioneve ku rezultatet nuk ishin në nivelin e duhur dhe skuadra nuk arriti të përfshihet në garën e ngushtë për trofe, drejtuesit e KB Pejës kanë ndryshuar qasje, duke synuar një rindërtim të thellë të skuadrës.

Tifozët e zjarrtë pejanë, të njohur për përkrahjen e tyre, tashmë kanë arsye të besojnë se sezoni 2025/26 do të sjellë kthesën e shumëpritur.

kb peja
kb peja