Robert Moreno: Nuk e meritoj pagën që marr

Robert Moreno
Robert Moreno

Robert Moreno, ish-trajneri i përfaqësueses së futbollit të Spanjës, ka përjetuar një nga momentet më të vështira të karrierës së tij si trajner. Të paktën kështu të lë të kuptosh një deklaratë e tij pas humbjes 4:0.

Klubi i tij aktual, Sochi nga Rusia, pësoi një humbje të thellë 4:0 ndaj ekipit Akron, pas së cilës Moreno doli para gazetarëve dhe pranoi me sinqeritet se ndjente turp për atë që kishte ndodhur.

“Asnjëherë gjatë karrierës sime nuk jam ndier kështu. Ndjej turp dhe përgjegjësi. Nuk e meritoj pagën që marr”, deklaroi Moreno pas ndeshjes.

Më pas ai mori një vendim që tronditi si tifozët ashtu edhe analistët e futbollit, ofroi të dhurojë gjysmën e pagës së tij.

“Nëse kjo nuk është e mundur për shkak të klauzolave në kontratë, do të gjej një mënyrë për ta dhuruar. Nuk dua të marr para që nuk i kam merituar”, shtoi ai.

Robert Moreno drejtoi përkohësisht përfaqësuesen e Spanjës në vitin 2019, pas largimit të Luis Enrique për arsye familjare. Pas tre ndeshjesh u emërua trajner deri në përfundim të Euro 2020, por dha dorëheqjen në nëntor të të njëjtit vit.