
Legjenda braziliane e futbollit, Robinho, ndodhet prej më shumë se një viti në burgun e Tremembe në Brazil, ku po vuan një dënim me nëntë vite heqje lirie për përdhunim në grup ndaj një shtetaseje shqiptare – ngjarje që ndodhi në Itali në vitin 2013.
Sipas gazetës spanjolle Marca, përcjellë Kërlaçki, Robinho nuk po qëndron duarkryq në burg. Ai ka lidhur kontakte me një tjetër të dënuar, hakerin Walter Delgatti, i cili po vuan një dënim prej tetë vitesh për ndërhyrje në sistemin e Këshillit Kombëtar të Drejtësisë në Brazil.
Dyshja kanë rënë dakord të nisin një biznes të përbashkët, një kompani bastesh, sapo të lirohen. Ideja besohet se ka ardhur nga vetë Robinho, i cili synon të përdorë famën e tij në futboll, ndërsa Delgatti do të kontribuojë me aftësitë teknologjike.

Edhe pse ndodhen në qeli të ndara, ata kalojnë shumë kohë bashkë gjatë shëtitjeve në oborrin e burgut, sipas mediave lokale.
Robinho ndërkohë është përpjekur të transferohet në një regjim gjysmë të hapur, por pa sukses, pasi nuk ia ka dalë të anulojë vendimin e gjykatës italiane. Megjithatë, ai po punon për të përfituar nga sjellja e mirë dhe marrëdhëniet pozitive me të burgosurit e tjerë.
Në burg, ai riparon televizorë dhe radio falë një kursi 600-orësh në elektronikë, është pjesë e një klubi letrar, kujdeset për kopshtin dhe ka përfunduar të gjitha modulet e programit arsimor për punë dhe qytetari.
Ai ka kërkuar nga drejtoria e burgut të rishikojë dënimin e tij ose të paktën t’i mundësojë kalimin në regjim të lehtësuar. Aktualisht, për çdo 12 orë pune, Robinho përfiton një ditë ulje nga dënimi.