
Pas një ndeshjeje të tensionuar në Split, Hajduk ka siguruar kualifikimin në raundin e tretë të Ligës së Konferencës, duke mposhtur Zira-n e Azerbajxhanit me rezultat 2-1 pas vazhdimeve.
Edhe pse mungoi në këtë ndeshje Ron Raçi, shqiptari mbetet pjesë e skuadrës që po synon kthimin në majat e futbollit kroat.
Vetëm pak orë pas triumfit në Evropë, Hajduk e ka bërë goditjen më të madhe të merkatos verore në Kroaci: Ante Rebić, sulmuesi i njohur kroat që ka luajtur për klube si Eintracht Frankfurt, AC Milan, Besiktas dhe së fundmi Lecce, është prezantuar zyrtarisht si lojtar i Hajdukut.

Ky transferim është një sinjal i qartë: Hajduk synon titullin kampion këtë sezon dhe do të rivalizojë seriozisht me Dinamon e Zagrebit dhe Rijekën për fronin në HNL.
Për lojtarët shqiptarë si Ron Raçi dhe Ardon Pajaziti, prania e një emri të madh si Rebić në ekip është një mundësi e rrallë për të mësuar e për t’u rritur profesionalisht, duke luajtur krah një futbollisti që ka lënë gjurmë në Serie A dhe që ka qenë pjesë e finales së Kupës së Botës 2018 me Kroacinë.

Rebić sjell cilësi, eksperiencë dhe mentalitet fitues – dhe Hajduk, që ka vite që ëndërron rikthimin në majë, tashmë duket më pranë realizimit të asaj ëndrre.