SC Gjilani bën që Kenan Haxhihamza të harrohet shpejtë, Vokli Laroshi zbarkon te Skifertat

Vokli Laroshi
Vokli Laroshi

SC Gjilani ka zyrtarizuar transferimin e portierit 23-vjeçar, Vokli Laroshi, duke vazhduar përforcimet për sezonin e ri me një emër cilësor mes shtyllave.

Gardiani nga Elbasani pritet të sjellë siguri në prapavijë dhe të zëvendësojë me dinjitet Kenan Haxhihamzën, i cili është larguar nga klubi.

Laroshi nuk është një emër i pa njohur në futbollin shqiptar. Ai ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe ka nisur karrierën te Turbina, ndërsa më vonë ka mbrojtur portën e Partizanit. Në dy sezonet e fundit ishte pjesë e Llapit, ku ka regjistruar 18 paraqitje, me 7 ndeshje pa pësuar gol.

Një nga kulmet e karrierës së tij ishte debutimi në garat ndërkombëtare me Llapin, duke mbrojtur portën në barazimin 2-2 ndaj skuadrës daneze Brøndby.

Në anën tjetër, Gjilani ka vendosur të rinovojë me portierin Aridon Bllaca, duke krijuar kështu një konkurrencë serioze për fanellën e titullarit. Klubi duket i vendosur të ketë një prapavijë të fortë dhe të përgatitur për sfidat e sezonit të ri.