
Ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka shprehur kritika ndaj trajnerit të tij, Ludovic Magnin, lidhur me vonesën e një zëvendësimi gjatë ndeshjes kundër Copenhagenit, e cila përfundoi 1-1 të mërkurën mbrëma.
Skuadra zvicerane nuk arriti të përfitonte nga terreni vendas në ndeshjen e parë të “play-off”-it, duke lëshuar epërsinë prej 1-0 që erdhi nga goli i Shaqirit. Në fund, miqtë barazuan rezultatin, duke i komplikuar punët për kualifikim.
Kapiteni i Baselit kishte rezerva lidhur me moszëvendësimin e mbrojtësit Jonas Adjei Adjetey, i cili u ndëshkua fillimisht me të verdhë në minutën e 43-të, e më pas u përjashtua me të kuq në minutën e 82-të.
⚽️ 𝗨𝗻𝘀𝗲𝗿 𝗚𝗼𝗼𝗹 𝗴𝗲𝗴𝗲 𝗱𝗿 𝗙.𝗖. 𝗞𝗼𝗽𝗲𝗻𝗵𝗮𝗴𝗲𝗻 ⚽️#FCBasel1893 #AlliZämme #imRotblaueRusch #rotblaulive @XS_11official pic.twitter.com/fB3NbswTpO
— FC Basel 1893 (@FCBasel1893) August 21, 2025
“Ndoshta duhet të reagojmë ndryshe dhe ta largojmë më herët”, tha Shaqiri për situatën e Adjetey.
“Nëse një lojtar merr një karton të verdhë herët, ekziston mundësia e madhe që ai të përjashtohet. Duhet të mësojmë nga kjo dhe ndoshta herën tjetër të bëjmë një zëvendësim më shpejt”, shtoi ai.
Pas këtyre komenteve, trajneri Magnin reagoi me qetësi dhe i mori me sportivitet kritikat e Shaqirit.
“Nuk jam dakord. Nuk mendoj se duhet ta largoj menjëherë një lojtar nëse merr një karton të verdhë. Do ta bëja përsëri. Një karton i verdhë nuk është i pazakontë për një mbrojtës”, u shpreh Magnin.
“E di marrëdhënien time me Shaqirin, nuk ka asnjë problem. Ai është vetëm në fillimet e karrierës së tij si trajner dhe ka ende shumë për të mësuar”, përfundoi trajneri, duke qeshur.