Shkëndija shembet në Azerbajxhan: katër gola të pësuar në pjesën e parë, humbje turpëruese 5-1 ndaj Qarabagut

Qarabag - Shkëndija
Qarabag - Shkëndija

Shkëndija e Tetovës përjetoi një mbrëmje për t’u harruar në Azerbajxhan, duke u mundur thellë 5-1 nga Qarabag dhe 6-1 me rezultat të përgjithshëm. Edhe pse ekipi tetovar hapi rezultatin herët me golin e Fabrice Tamba-s, mungesa e disiplinës në mbrojtje dhe gabimet individuale e çuan skuadrën drejt një disfate të rëndë duke e eliminuar nga Liga e Kampionëve.


Takimi nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Shkëndijën, e cila kaloi në avantazh në minutën e 10-të me një gol të bukur të Fabrice Tamba-s, pas asistit të Besart Ibraimit. Megjithatë, gëzimi zgjati vetëm gjashtë minuta. Në të 16-tën, Klisman Cake shënoi autogol, duke rikthyer baraspeshën, ndërsa dy minuta më vonë Kady Borges përmbysi rezultatin në 2-1.

Qarabag vazhdoi presionin dhe në minutën e 33-të, Nariman Akhundzade shënoi një supergol me vole nga brenda zonës, duke e çuar rezultatin në 3-1. Vetëm dy minuta më pas, një faull i panevojshëm i Kamer Qaka-s i dha vendasve penalltinë që Marko Jankoviç e shndërroi në gol për 4-1.

Në pjesën e dytë, Qarabag uli ritmin, por përsëri gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 59-të, kur Leandro Andrade finalizoi një aksion të bukur për rezultatin përfundimtar 5-1.

Shkëndija bëri disa zëvendësime, por nuk arriti të ndryshojë rrjedhën e lojës, ndërsa vendasit kontrolluan me lehtësi minutat e mbetura. Humbja e thellë lë skuadrën e Jeton Beqirit lë shumë pikëpyetje, tani para duelit në play-off me humbësin e ndeshjes, Ferencvarosh – Ludogorets, megjithëse kuqezinjtë tani më kanë siguruar plasmanin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.