Spanja dhe Hungaria në finale të Botërorit në vaterpolo

Spanja-Hungaria
Spanja-Hungaria

Në finalen e Kampionatit Botëror të këtij viti për vaterpolo në Singapor do të përballen Spanja dhe Hungaria. Pas një ndeshjeje dramatike në gjysmëfinale, Spanja eliminoi Greqinë pas gjuajtjeve të penalltive, ndërsa Hungaria triumfoi ndaj Serbisë me rezultatin 19:18 (6:3, 2:5, 8:4, 3:6).

Kristzian Manhercz realizoi katër gola për Hungarinë, ndërsa Dushan Mandiç u shqua me gjashtë gola për Serbinë. Hungarezët siguruan fitoren kryesisht falë efikasitetit në sulm, veçanërisht në çerekun e tretë, kur shënuan plot tetë gola dhe krijuan një avantazh me katër gola para 8 minutave të fundit.

Serbia iu afrua në 18:17 rreth 1:50 minuta para fundit, por në aksionin pasardhës, Vendel Vigvari shfrytëzoi epërsinë numerike për të shënuar golin e 19-të për Hungarinë. Tentativa e Mandiç për të ngushtuar sërish rezultatin u ndal nga shtylla, ndërsa goli i fundit nga Çuk për 19:18 erdhi shumë vonë.

Hungaria do të luajë kështu për herë të 12-të në një finale të Kampionatit Botëror, ku deri tani ka fituar katër tituj dhe shtatë medalje të argjendta. Spanja, në anën tjetër, arrin finalen për herë të tetë, me tri tituj dhe katër herë nënkampione.

Spanja e para arriti në finale, edhe kjo pas një drame me penallti ndaj Greqisë

Përfaqësuesja e Spanjës në vaterpolo është finalisti i parë i Kampionatit Botëror në Singapor, pasi mposhti Greqinë pas goditjeve të penalltive me rezultatin 11:9 (3:2, 3:1, 0:1, 1:3; 4:2).

Spanjollët siguruan kualifikimin për në finale në mënyrë dramatike – fillimisht me një gol në sekondën e fundit për të barazuar rezultatin në 7:7 dhe më pas me saktësi në gjuajtjet nga pika e bardhë. Në pjesën e parë, Spanja kishte avantazh komod prej tre golash (6:3), por grekët u rikthyen fuqishëm me një mbrojtje të shkëlqyer, duke pranuar vetëm një gol në dy çerekë dhe shënuar katër.

Heroi i sfidës ishte portieri spanjoll, Unai Aguirre, i cili priti dy penallti në serinë e penalltive dhe i dha “Furisë së kuqe” mundësinë të luftojë për titullin e katërt botëror në histori. Bernat Sanahuja udhëhoqi Spanjën me tre gola, ndërsa te Greqia u dallua Niklaos Gkillas me dy realizime.

Finalja,  Spanjë – Hungari do të zhvillohet të enjten në orën 15:35, ndërsa më herët, në orën 11:35, Serbia do të përballet me Greqinë për vendin e tretë. Në garën për vendet 5-8, Mali i Zi mposhti Italinë me rezultat 12:8 dhe tani do të ndeshet me Kroacinë që mposhti SHBA-të për vendosjen e renditjes përfundimtare.