
Trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores minimale 1:0 ndaj Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Takimi u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku skuadra nga Suhareka siguroi një epërsi të vlefshme para ndeshjes kthyese.
“Jam i kënaqur me atë që treguam në fushë. Futbolli është i tillë – mund të prodhosh shumë dhe të mos konkretizosh gjithmonë”, u shpreh Shehi.
“Megjithatë, rezultati është pozitiv dhe tani duhet të përgatitemi për sfidën tjetër”, shtoi ai.

Ai shtoi se ky ishte vetëm hapi i parë drejt kualifikimit dhe theksoi rëndësinë e përgatitjes për sfidën e kthimit në Irlandë:
“Siç e thashë edhe në konferencën për shtyp, kjo ishte vetëm ndeshja e parë”.
“Na pret edhe një 90-minutësh i rëndësishëm dhe duhet të jemi gati maksimalisht”, theksoi Shehi.
Ndeshja e kthimit ndaj Shamrock Rovers do të luhet pas një jave në Irlandë, ku Ballkani do të kërkojë të mbrojë epërsinë për të kaluar në fazën play-off të Ligës së Konferencës.
