
Liga e Parë do të nisë edhe këtë sezon me një rivalitet të fortë mes 18 skuadrave pjesëmarrëse.
Me më shumë klube me histori dhe me numër më të madh tifozësh krahasuar me vetë Superligën, kampionati premton të jetë konkurrues dhe interesant, përcjellë “Kërlaçki”.
Në dy ndeshjet miqësore të Vëllaznimit në Gjakovë, stadiumi ndihmës pranë palestrës “Shani Nushi” u mbush nga tifozët, që ndoqën nga afër takimet ndaj Prizrenit dhe Besës.
Kjo tregon besnikërinë e palëkundur të tifozërisë gjakovare, pavarësisht se rezultatet e kuqezinjve mungojnë prej vitesh.
Klubi ka bërë ndryshime në afatin kalimtar duke bërë disa afrime pa shumë bujë, por trajneri Xhengiz Rexhepi është shprehur optimist për arritjen e objektivit – rikthimin në elitë.

Edhe në Vushtrri, si zakonisht, interesimi për skuadrën bardhekaltër është i madh.
Në miqësoren ndaj Dukagjinit, qindra tifozë mbushën stadiumin “Ferki Aliu”, ku vendasit arritën fitoren 3:0.
Atmosfera ishte shumë pozitive dhe kampionati i ri pritet me shpresë për rikthimin e shumëpritur në Superligë.

Në garë janë edhe skuadra të tjera me traditë dhe bazë të mirë tifozësh, si Trepça dhe Trepça ’89 nga Mitrovica, Liria e Prizrenit dhe Besa e Pejës.
Kampionati i ri nis në gusht, duke sjellë sfida që priten me kurreshtje nga adhuruesit e futbollit në vend.
Kryendeshja e xhiros së parë është ajo mes Vëllaznimit dhe Feronikelit, që do të zhvillohet në Gjakovë.
Takimet tjera janë këto:
- Prizreni – Trepça ’89
- Trepça – Istogu
- Ramiz Sadiku – 2 Korriku
- Vëllaznimi – Feronikeli
- Besa Pejë – Vushtrria
- Kika – KEK-u
- Suhareka – Vjosa
- Dinamo – Tefik Çanga
- Rilindja – Liria
Xhiro e parë zhvillohet më 16 dhe 17 gusht 2025.
