Superliga nis me spektakël: Prishtina triumfon në Klinë, Prishtina e Re trondit në debutim, Ferizaj mposht kampionin

Ferizaj - Drita 1-0
Ferizaj - Drita 1-0

Edicioni 2025/26 i Superligës së Kosovës nisi me katër ndeshje interesante, ku nuk munguan emocionet, kartonët e kuq dhe debutimet surprizuese. Ja si u zhvilluan ndeshjet e ditës së parë:

Ferizaj 1-0 Drita – Vendos Berisha, Drita dështon sërish me karton të kuq

Ferizaj shënoi një fitore të merituar ndaj njërit prej favoritëve të zakonshëm të Superligës dhe kampionëve aktual, Dritës. Gjithçka nisi vrullshëm në minutën e 10-të, kur Jakup Berisha zhbllokoi rezultatin me një finalizim të saktë, duke e futur Ferizajn në epërsi që në fazën e hershme të ndeshjes.

Drita nuk arriti të reagonte me efikasitet dhe ndëshkimi erdhi me përjashtimin e mbrojtësit Ovuka në minutën e 38-të, duke i komplikuar gjërat për ekipin gjilanas. Në pjesën e dytë, Ferizaj pati mundësinë të dyfishonte avantazhin, por Avdulli dështoi përballë Malokut në minutën e 89-të. Portieri gjilanas u dallua me ndërhyrje vendimtare, përfshirë një pritje spektakolare në minutat shtesë ndaj Peposhit.

🟥 Karton i kuq: Ovuka (Drita) – 38′
⚽: Jakup Berisha (Ferizaj) – 10′


dukagjini - prishtina 2-3
dukagjini prishtina 2-3

Dukagjini 2-3 Prishtina – Pesë gola në Klinë, spektakël dhe dramë deri në fund

Në ndeshjen më të bukur të javës, Prishtina arriti një fitore të madhe në udhëtim ndaj Dukagjinit. Kryeqytetasit kaluan në epërsi në minutën e 10-të me një gol të shpejtë të Ilievskit pas asistimit të Valmir Veliut. Në minutën e 26-të, Blend Baftiu shënoi një supergol nga distanca për ta dyfishuar rezultatin.

Megjithatë, Dukagjini u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë. Meris Maliqi ngushtoi shifrat në sekondat e para të pjesës së dytë, ndërsa Egzon Sinani barazoi në minutën e 67-të pas një këndoreje të ekzekutuar bukur nga Hugo. Ndonëse Dukagjini po dominonte dhe kërkonte përmbysjen, Prishtina realizoi në kundërsulm me Valmir Veliun, që shënoi golin e fitores në minutën e 82-të pas një aksioni të rrjedhshëm.

Ndeshja u karakterizua me intensitet të lartë, duele fizike dhe momente dramatike, përfshirë dy shtylla për vendasit dhe raste të humbura fatale në pjesën e parë.

⚽ Golat:

  • Ilievski (Prishtina) – 10′

  • Baftiu (Prishtina) – 26′

  • Maliqi (Dukagjini) – 46′

  • Sinani (Dukagjini) – 67′

  • Veliu (Prishtina) – 82′


drenica - llapi 0-0
drenica llapi 0-0

Drenica 0-0 Llapi – Barazim pa gola, por me tensione në Skenderaj

“Bajram Aliu” nuk pa gola, por pati tension dhe përplasje mes tifozëve në tribuna. Drenica dhe Llapi zhvilluan një ndeshje taktike, me të dyja skuadrat që i dhanë prioritet mbrojtjes, sidomos në pjesën e parë.

Llapi e nisi më mirë ndeshjen dhe pati disa tentativa të rrezikshme në pjesën e parë, me Hasan Hysenin dhe debutuesin Gnapi që nuk arritën të finalizonin. Portieri Haxhihamza i Drenicës ishte protagonist me disa pritje të rëndësishme.

Në fundin e pjesës së dytë, Drenica pati mundësi të shënonte nga një goditje dënimi e Ukës, por tentativa përfundoi larg portës. Barazimi pa gola është një rezultat që nuk i kënaq asnjërën skuadër, por pasqyron zhvillimin e barabartë të ndeshjes.


Malisheva 0-4 Prishtina e Re – Triumf historik në debutim

Prishtina e Re debutoi në mënyrë madhështore në Superligë, duke turpëruar Malishevën me rezultat të thellë 0-4 në “Liman Gegaj”. Toni Gomes ishte ylli i ndeshjes me dy gola dhe një asist, ndërsa Dobratiqi dhe Zougrana vulosën fitoren e jashtëzakonshme për skuadrën e trajnerit Elon Berisha.

Gomes hapi serinë me një gol në fund të pjesës së parë, ndërsa në minutën e 54-të, Malisheva mbeti me një lojtar më pak pasi Donat Vitija u ndëshkua me karton të kuq. Me epërsinë numerike dhe morale, mysafirët shtuan presionin dhe shënuan edhe tre herë të tjera.

Malisheva kishte pak momente pozitive në pjesën e parë, por u dorëzua tërësisht në pjesën e dytë. Një fillim i shkëlqyer për një ekip që dëshiron të shkruajë historinë në edicionin e parë në elitë.

⚽ Golat:

  • Toni Gomes – 45’+2, 57′

  • Dobratiqi – 76′

  • Zougrana – 79′

🟥 Karton i kuq: Donat Vitija (Malisheva) – 54′