Trashëgimia e pavdekshme e legjendës Izet Gjinovci – simbolit të hendbollit kosovar!

Izet Gjinovci
Izet Gjinovci, legjenda e hendbollit kosovar

Ka kaluar një vit që prej asaj dite kur hendbolli kosovar humbi një nga figurat më të mëdha dhe më frymëzuese të tij. Izet Gjinovci, një personalitet i pazëvendësueshëm dhe simbol i pasionit për hendbollin, ndërroi jetë më 5 gusht 2024, në moshën 63-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme që vazhdon të ndikojë dhe frymëzojë çdo brez të ri të hendbollistëve në Kosovë.

Izet Gjinovci ia kushtoi gjithë jetën hendbollit, fillimisht si lojtar i shquar i klubit Prishtina, dhe më pas si drejtues i përkushtuar i klubit dhe Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Ai ishte një nga shtyllat kryesore të këtij sporti në vend, duke sakrifikuar shumë për ta udhëhequr klubin dhe federatën me pasion dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

Në vitet e ’90-ta, kur sporti kishte edhe një dimension të rëndësishëm kombëtar dhe politik, Gjinovci ishte një nga figurat kyçe në pavarësimin e sportit kosovar, duke kontribuar në organizimin e aktiviteteve dhe ngjarjeve të rëndësishme sportive.

gjinovci ndërroi jetë më 5 gusht 2024 në moshën 63-vjeçare
gjinovci ndërroi jetë më 5 gusht 2024 në moshën 63-vjeçare

Nga viti 2002 dhe deri në ditën e fundit të jetës, ai mbajti me dinjitet detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës, duke qenë një udhëheqës i përkushtuar dhe një lobues i fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Kontributi i tij në pranimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës në Federatën Evropiane dhe atë Botërore të Hendbollit ishte kolosal.

Ai bashkëpunoi ngushtë me presidentin e nderit të FHK-së, Mexhid Devaja, dhe më pas me presidentin pasues Eugen Saraçini, duke sjellë sukses historik për sportin kosovar.

Që nga viti 2004, falë punës së tij, klubet kosovare morën të drejtën të garojnë në arenën evropiane, një hap i rëndësishëm për zhvillimin e hendbollit në Kosovë.

izet gjinovci dhe ish-presidenti i fhk-së mexhit devaja
izet gjinovci dhe ish-presidenti i fhk-së mexhid devaja
izet gjinovci dhe ish-presidenti i fhk-së eugen saraçini
izet gjinovci dhe ish-presidenti i fhk-së eugen saraçini

Izet Gjinovci njihej për karizmën dhe raportet e shkëlqyera me komunitetin ndërkombëtar të hendbollit, duke qenë anëtar i Gjykatës së Apelit të Federatës Evropiane të Hendbollit nga viti 2021.

Respekti dhe vlerësimi që gëzonte në nivelet më të larta të këtij sporti ishte dëshmi e ndikimit dhe kontributit të tij.

Me ndarjen e tij nga jeta, hendbolli kosovar humbi një nga shtyllat më të rëndësishme dhe më besnike.

Federata e Hendbollit të Kosovës sot përkujtoi veprën dhe jetën e tij me nderim të thellë dhe ka vendosur që Superkupa e Kosovës të mbajë emrin e tij, duke e bërë “Superkupa Izet Gjinovci” një simbol të përjetshëm të kontributit dhe përkushtimit të tij ndaj sportit.

Ndërkaq, komuniteti sportiv i Kosovës dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të, e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje të përhershme.

Trashëgimia e tij do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm të hendbollistëve dhe sportistëve kosovarë.

gjinovci ishte edhe anëtar i gjykatës së apelit të federatës evropiane të hendbollit nga viti 2021a
gjinovci ishte edhe anëtar i gjykatës së apelit të federatës evropiane të hendbollit nga viti 2021