
Nën zhurmën e kërkesave për dorëheqje nga “Torcida”, në kulmin e afatit kalimtar dhe me një seri përforcimesh, KF Trepça ka filluar rrugëtimin drejt Superligës.
Pavarësisht presionit të shtuar nga tifozët pas një sezoni zhgënjyes, klubi mitrovicas ka nisur të ndërtojë me kujdes një ekip që synon rikthimin në elitën e futbollit kosovar, përcjellë “Kërlaçki”.
Për të arritur këtë objektiv, drejtuesit kanë qenë tepër aktivë në afatin kalimtar, duke afruar emra kryesisht të rinj.
Deri më tani, janë zyrtarizuar plot nëntë përforcime: Emmanuel David, Andri Xhafa, Diart Geci, Kristian Rroku (portier), Ermal Veliqi, Gentian Imeri, Alban Kelmendi, Rilind Haziraj dhe Ridon Llugiqi.

Përveç emrave të rinj në fushë, klubi ka vendosur t’i besojë sërish trajnerit Emin Baliqi, i cili është rikthyer në krye të skuadrës.
Ai pritet të jetë figura që do të sjellë stabilitet dhe frymë pune në një grup me shumë ndryshime.
Përvoja e tij me klubin dhe njohja me ambientin konsiderohen si faktorë të rëndësishëm për ndërtimin e një projekti të suksesshëm.
Skuadra u zhvendos në Onix Spa Thermal Resort – Banjë e Pejës, ku qëndroi për 10 ditë për fazën përgatitore.

Në kushte të përshtatshme për punë intensive dhe rikuperim, lojtarët u stërviten me përkushtim të lartë, duke u përgatitur në mënyrë optimale për sfidat e kampionatit që po afrohet.
Në këtë fazë përgatitore po ndërtohet jo vetëm kondicioni fizik, por edhe harmonia në grup dhe struktura taktike që trajneri Baliqi po përpiqet t’i implementojë.
Sfida e parë e sezonit do të jetë ndaj Istogut në shtëpi, një test i rëndësishëm për të matur formën dhe gatishmërinë e skuadrës.
Me përforcimet e shumta, rikthimin e trajnerit dhe një fazë përgatitore intensive, Trepça shpreson që t’i kthejë kritikat në motiv dhe të nisë sezonin me këmbën e djathtë – drejt një synimi të vetëm: Superliga.
