Një numër i madh tifozësh janë mbledhur sot në Gjakovë për ta ndjekur nga afër ndeshjen miqësore mes Vëllaznimit dhe Besës së Pejës.
Përkundër vapës së madhe që ka mbretëruar gjatë gjithë ditës, mbështetësit e kuqezinjve kanë treguar përkushtim të madh, duke e mbushur stadiumin ndihmës pranë palestrës “Shani Nushi”, përcjellë “Kërlaçki”.
Kjo ndeshje, e cila nisi nga ora 18:00, shënon një nga testet e para për Vëllaznimin para fillimit të sezonit të ri.
Interesimi i lartë nga publiku tregon pritshmëritë që tifozët kanë për skuadrën e tyre, si dhe dëshirën për ta parë nga afër përgatitjen e ekipit nën drejtimin e trajnerit Rexhepi.
Golin e vetëm në pjesën e parë e realizoi Bleon Sekiraqa, duke i dhënë avantazh skuadrës së tij dhe entuziazmuar publikun vendas.
Pavarësisht temperaturave të larta, atmosfera në stadium ka qenë mjaft pozitive.
Prania e tifozëve në numër të madh dëshmon edhe një herë lidhjen e fortë që qyteti i Gjakovës ka me futbollin dhe skuadrën e zemrës – Vëllaznimin.
