Vëllaznimi përforcohet me dy yjet e Kosovës U20

Rron Dahsyla dhe Norik Binqe
Rron Dahsyla dhe Norik Binqe

Klubi i basketbollit Vëllaznimi po tregon ambicie të qarta për edicionin e ri të Superligës së Kosovës, duke vazhduar me përforcimet në përbërje.

Sipas burimeve të AsistiOnline, përcjellë Kërlaçki, skuadra gjakovare ka arritur marrëveshje me dy basketbollistë të talentuar vendorë, Rron Dahsyla dhe Norik Binqe, të cilët ishin pjesë e përfaqësueses U20 të Kosovës gjatë kësaj vere. Të dy pritet të jenë pjesë e “kuqezinjve” për sezonin 2024/25.

Dahsyla, i cili së fundmi ka luajtur për Proton Cable Prizrenin, ka pasur më parë paraqitje të rëndësishme edhe me skuadrën e Pejës, si dhe me vetë Vëllaznimin. Ai rikthehet në Gjakovë si një lojtar që pritet të sjellë energji, përvojë dhe stabilitet në vijën e parë të skuadrës.

Nga ana tjetër, Norik Binqe vjen pas një sezoni të ndarë mes Borës dhe Prishtinës. I konsideruar si një nga talentet më premtues në basketbollin kosovar, Binqe do të jetë pjesë kyçe e projektit të ri të Vëllaznimit, që synon ngritje cilësore dhe paraqitje më konkurruese në kampionat.