
Rakow Czestochowa siguroi kualifikimin në raundin e tretë të UEFA Conference League pasi mposhti sërish MSK Zhilina në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues, këtë herë me rezultat 3-1 në Sllovaki, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 6-1.
Polakët u treguan më konkretë në fazën sulmuese dhe dominuan ritmin e ndeshjes, duke mos i lënë asnjë mundësi vendasve për të rikthyer fatin e përballjes.
Vëmendje të veçantë mori edhe treshja e gjyqtarëve nga Kosova, me Genc Nuzën që drejtoi takimin si gjyqtar kryesor, ndërsa Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj shërbyen si asistentë, me Dardan Çakën si gjyqtar të katërt.
Një përfaqësim dinjitoz për arbitrat shqiptarë në arenën ndërkombëtare, që u vlerësuan për drejtimin korrekt dhe autoritar të ndeshjes.
Kualifikimi i Rakow tashmë e vendos skuadrën në pritje të kundërshtarit të radhës, ndërsa Zhilina mbyll këtu aventurën europiane për këtë sezon.