Volejboll: Kosova mposht Greqinë 2 dhe siguron përballje për vendin e 5-të

Dilon Latifa Erind Qalaj Fatlum Hajrizi
Dilon Latifa Erind Qalaj Fatlum Hajrizi

Përfaqësuesja e Kosovës në beach volley U20 arriti një fitore të rëndësishme ndaj Greqisë 2, në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Evropian, që po zhvillohet në Schinas të Greqisë, si pjesë e Kampionatit Ballkanik.

Kosova 2:0 Greqia 2 (21:19, 21:19)

Dyshja Dilon Latifaj dhe Erind Qalaj, nën drejtimin e trajnerit Fatlum Hajrizi, zhvilluan një lojë të disiplinuar dhe të motivuar, duke dominuar në të dy setet ndaj rivalit të drejtpërdrejt për vendin e tretë në grup, ka dhënë lajmin Federata e Volejbollit të Kosovës, përcjell Kërlaçki.

Megjithatë, dy humbjet në ndeshjet e para kundër ekipeve shumë të forta si Moldavia dhe Turqia 1 ndikuan në objektivat e larta të ekipit, duke larguar mundësinë e kualifikimit në gjysmëfinale.

Kjo fitore vendos Kosovën në garën për vendin e 5-të në renditjen përfundimtare të këtij raundi kualifikues, duke mbetur një hap i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të volejbollit të rërës në Kosovë.