
Klubi i njohur rus, Zenit St. Petersburg, pritet të marrë dënim për fyerjet ndaj lojtarit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku, gjatë ndeshjes së Kupës së Rusisë.
Incidenti ndodhi më 12 gusht në Shën Petersburg, në kuadër të raundit të dytë të fazës së grupeve të Kupës ruse të futbollit.
Artur Grigoryants, kryetar i Komitetit të Kontrollit dhe Disiplinës së Federatës së Futbollit të Rusisë, bëri me dije se do të ndëshkojë Zenitin për sjelljen e tifozëve gjatë kësaj ndeshjeje, ku Zeniti fitoi 3:0 ndaj Rubin Kazanit. Goli i Dakut iu anulua me VAR.
“Do të bëhet hetim mbi brohoritjet fyese që tifozët e Zenitit i drejtuan lojtarit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku, gjatë ndeshjes së Kupës”, deklaroi Grigoryants në një bisedë me korrespondentin e Championat, Vladislav Kruglov.
Mbledhja për vendimin pritet të mbahet më 20 gusht.
Gjithashtu, Zeniti ishte ndër klubet e mëdha ruse që shfaqën interes për transferimin e sulmuesit shqiptar gjatë afatit kalimtar.