
Eksperti italian i transferimeve, Nicolo Schira, ka raportuar se ylli kosovar Edon Zhegrova ka arritur marrëveshje personale me Juventusin për një kontratë pesëvjeçare, me vlerë 2.5 milionë euro në vit plus bonuse.
“Edon Zhegrova i ka dhënë mundësinë e tij Juventusit për një kontratë deri në vitin 2030 (2,5 milionë euro/vit + bonuse). Juventusi tani po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Lille. Kontrata e Zhegrovës skadon në qershor 2026 dhe ai tashmë i ka njoftuar LOSC vendimin e tij për të mos e zgjatur”, ka shkruar Schira.
Bianconerët tani po e shtyjnë Lillen që të pranojë ofertën e tyre, duke qenë se lojtari ka vendosur të mos rinovojë.
Sipas mediave italiane, marrëveshja mes dy klubeve mund të arrihet për një shumë mes 18 dhe 20 milionë eurove.
26-vjeçari është pjesë e Lille që nga janari i vitit 2022, kur u transferua nga Baseli.
Në 80 paraqitje në Ligue 1, ai ka kontribuar me 15 gola dhe 13 asistime.
Zhegrova pritet ta vazhdojë karrierën në Serie A, me Juventusin që e sheh si një përforcim të rëndësishëm për të ardhmen.