
Sassuolo Calcio ka zyrtarizuar transferimin e portierit të Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriç, nga Ipswich Town.
Gardiani 26-vjeçar i bashkohet klubit italian në formë huazimi, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit.
Muriç, i lindur në Schlieren të Zvicrës më 1998, ka kaluar në akademitë e FC Zurich dhe Grasshoppers, përpara se t’i bashkohej Manchester City-t në vitin 2015. Me “Citizens” firmosi kontratën e parë profesionale dhe debutoi në Kupën e Ligës, ndërsa u huazua edhe te NAC Breda.
Karriera e tij ka përfshirë aventura te Girona, Willem II dhe Adana Demirspor, ndërsa në vitin 2022 u transferua te Burnley, me të cilin fitoi Championship-in. Sezonin e fundit ai ishte pjesë e Ipswich Town në Premier League, ku regjistroi 13 paraqitje.
Në arenën ndërkombëtare, Muriç fillimisht ka përfaqësuar Malin e Zi U21, por që nga viti 2018 mbron portën e Kosovës, duke grumbulluar mbi 40 paraqitje.

Me kalimin te Sassuolo, portieri kosovar synon të shkëlqejë në Serie A dhe të ndihmojë skuadrën italiane në objektivat e saj për këtë sezon.