
Rey Manaj është zyrtarisht futbollist i Sharjah FC. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në një lëvizje që nuk ishte përfolur më herët gjatë verës, por që u konkretizua në ditët e fundit të korrikut.
Transferimi i tij nga Sivasspor i ka sjellë klubit turk një shumë të raportuar prej 2 milionë eurosh, ndërsa vetë Manaj do të përfitojë një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon, duke u renditur mes lojtarëve më të paguar të ekipit kombëtar shqiptar.
Prej kohësh, marrëdhëniet mes sulmuesit dhe klubit turk nuk ishin më të mirat, dhe me vetëm një vit të mbetur në kontratë, Sivasspor nuk kishte shumë hapësirë për të refuzuar ofertën.
View this post on Instagram
Te Sharjah FC, Manaj i bashkohet një tjetër anëtari të Kombëtares shqiptare, Feta Fetai, i cili këtë sezon është pjesë e klubit si i huazuar nga Lokomotiva Zagreb.
Manaj ka luajtur edhe për klube të njohur si Barcelona dhe Interi, ndërsa ka bërë karrierë edhe te Cremonese, Pescara, Pisa, Granada, Albacete, Spezia dhe Watford.